Gazeta e famshme britanike ‘The Guardian’, në një raport investigues të sajin nxjerr në pah se edhe pas 13 vjetësh nga Luftërat Ballkanike të pas viteve 90-të, ende shteti serb nuk ka kapur të gjithë të dyshuarit për krime lufte.
“Një vend i cili lëkundet mes ndjenjës së fajit dhe viktimizimit, ku strehohen kriminelë lufte nga institucionet dhe elita e shtetit serb”. – kështu e ka nisur shkrimin e saj ‘The Guardian’.
Kjo gazetë e përforcon përfundimin e saj me intervista të marra nga Prokurorë serbë, të cilët vënë në dukje dorën e elitës serbe në strehimin e kriminelëve të luftës për krime në Bosnje dhe Kosovë.
Ideja e një lidhje të fortë mes institucioneve serbe dhe kriminelëve të gjykuar në mungesë në këtë vend, shtohet dhe më tej kur dimë se tashmë në krye të shtetit serb është Tomislav Nikoliç.
Ky i fundit, ka qenë zyrtar i lartë i Partisë Radikale Serbe nën drejtimin e Vojislav Shejshel, i cili aktualisht akuzohet nga Tribunali i Hagës si kriminel lufte.
Prokurori serb për krime lufte Vladimir Vukçeviç, duke folur për situatën në fjalë, thotë: “Hapat tanë në gjurmim të kriminelëvë të luftës kanë shkuar disi larg tashmë. Ne kemi gjurmuar dhe identifikuar persona, të cilët kanë ndihmuar në arratisjen e të dyshuarëve për krime lufte. Së shpejti, kundrejt personave ndihmës për t’i strehuar të gjykuarit nga Haga, do nisim ndjekje penale.”
Për të treguar se elita serbe ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit në krime lufte, mjafton të përmendim disa raste të tilla.
Ratko Mlladiç, lideri i ushtrisë serbe të Bosnjes, gjykimi ndaj të cilit është hapur veçse një muaj më pare, ka jetuar hapur dhe pa ndroje në kazermat e ushtrisë serbe.
Radovan Karaxhiç, lider i serbëve të Bosnjës, që i është shmangur drejtësisë deri në vitin 2008, besohet të jetë përkrahur nga inteligjenca serbe.
Goran Haxhiç, i kapuri i fundit ndër të arrestuarit është ndihmuar nga Kisha Ortodokse Serbe, ndërsa është strehuar për disa kohë edhe në Rusi.
“Shteti ynë nuk duhet t’a bëjë këtë. Këta njerëz nuk duhet t’a bëjnë këtë. Secili duhet të ndihet fajtor për atë ç’ka bërë brenda vetes”. –është shprehur për ‘The Guardian’ avokati i të Drejtave të Njeriut në Beograd.
Ish-Presidenti serb, Boris Tadiç bëri gjithçka për të kapur kriminelët e luftës në territorin serb dhe në këmbim Serbia mori statusin e vendit kandidat për në BE.
Mirëpo, panorama u ndryshua kur në krye të Presidencës erdhi Tomislav Nikoliç, i cili me të ardhur në këtë post mohoi edhe të ketë patur genocid në Srebrenicë.
Në hetim, Prokurorët e Serbisë kanë përfshirë edhe plot 30 gazetarë, të cilët kanë patur gisht në fshehjen e të akuzuarve nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte.
Siç duket, e gjithë elita dhe pjesa intelektuale serbe ka bashkëpunuar ngushtë për të mbajtur larg gjykatave të dyshuarit për krimet më të egra të ndodhura ndonjëherë në Ballkan.
No comments:
Post a Comment