Figurat historike të një kombi i japin atij vlerë ndër popuj të tjerë dhe përbëjnë imazhin ndër sytë e të huajve.Kombi shqiptar ndër shekuj e breza ka nxjerrë nga gjiri i saj figura me vlera jo vetëm kombëtare, por duke kaluar kufijtë transoqeanik. Mjafton të përmendin humanisten e madhe, bamirësen e Kalkutës, ndaj së cilës përulet sot e mbarë bota, Nënë Tereza.
Ndërsa qytetarët evropianë e më gjerë figurën e Gonxhe Bojaxhiut, e njohur botërisht si Nënë Tereza e mbajnë si figurë mishërimi drejt pastërtisë hyjnore, në Shqipëri statura e një fituese të çmimit Nobel ka rënë vërtetë shumë poshtë.
Nëse një i huaj viziton kryeqytetin tonë, Tiranën dhe kërkon bustin e humanistes së madhe, gjetja e saj është thuajse e pamundur. Nënë Tereza e famshme, e cila vetëdeklaroi se me gjak është shqiptare, struket në një qoshkë në të majtë të Universitetit Politeknik të Tiranës.Duket se askush nuk kujdeset për të, madje janë të rrallë ata që vënë re prezencën e saj në një vend kaq të papërshtatshëm.
Është një turp, që një figurë me imazhin më të mirë që mund të krijojë për një popull jashtë kufijve të saj, të struket në një vëndth të tillë.Turpi nuk mbaron me kaq. Në bulevardin kryesor të Tiranës, shumë pranë “kullave Blu”, gjenden në një gjendje si mos më keq bustet e tre vëllezërve të Rilindjes sonë Kombëtare.
Mbi to janë shkruar e zhgarravitur mesazhe e grafite aspak të denja për vëllezërit Frashëri. Përpos kësaj, shumë pranë tyre gjenden të hedhura aty-këtu mbeturina e mbetje, duke ndotur ambientin përreth.
Gjithashtu, në bustin tjetër të Frashërllinjve në Liqenin Artificial ka mbishkrime të ngjashme.
Është një turp jo vetëm i një organizmi apo i disa personave, por që njollos faqen e të gjithë shqiptarëve dhe reputacionit të tyre nëpër botë.
Institucionet përgjegjëse që përgjigjen për mirëmbajtjen e veprave kulturore të kombit duhet të ndërgjegjësohen dhe të ndërhyjnë për të ndryshuar këtë gjendje mizerable të figurave që nderojnë kombin shqiptar.
No comments:
Post a Comment