Po të ishte në jetë Migjeni, me siguri do të ish shumë i pezmatuar, i rrënuar në themel brenda shpirtit të tij poetik, që do ndizej flakë e prush nga ‘benzonati’ i derdhur pa fre mbi shoqërinë tonë.
Për disa, mbijetesa në Shqipëri është fushëbetejë me jetën, vatër e flakëruar që shëndrin që prej shekujsh, plagë e nxehtë për tu duruar e barrë e rëndë që të mbërthen gazin e shpirtit.
Një vend ku kryqëzohet i padjallëzuari, ku vrull i shpirtit të lirë djaloshar kacafytet me vorbullat e tsunamit të ameritokracisë e ku shpresa e sheh të gjelbërtën si mirazh.
Këngë migjeniane që buçasin, për të të çjerrë maskën e shpirtit, për të ta eksternalizuar ndjenjën nihiliste, që se do, s’do ta pranosh, por realitetin e sheh, ai të vret, të rrënon, të gjunjëzon.
Krim zien brenda shpirtit të shqiptarëve e për krim dëgjon kudo. Padrejtësi vlon brenda tyre, e padrejtësi sheh ngado.
Në këtë përleshje botësh askush nuk është i fituar. Ndihesh i pavlerë, i sakatosur, i dërrmuar.
Nën sunamblën obskurantiste, nën sakrifica sublime përpiqesh të zgjohesh, e ngrihesh, përpiqesh e kërcitesh sa të dridhet vendi, as sa s’ke nevojë të studiosh mbinjeriun e Niçes sepse tashmë je vetë një i tillë.
Shqiptari që jeton me dinjitet ndihet i këputur në flatra, i vrerosur në shpirt, që sheh shtetin tënd duke manifestuar 100-vjetorin jubilar shtetëror dhe paralel me të dhe vetën tënde, gjendjen mizerable të një vendi ku kudo e kurdo luftohet ashpër me jetën, pa nder e padrejtësisht.
Në Shqipërinë tonë i padrejti ngrihet në pietestal të pafrè, i drejtë varet në kryqin e gjynahit të së bërit mirë.
Në Shqipërinë tonë i ndershmi ç’nderohet, i pavleri lartësohet, i vogli gjunjëzohet e i madhi stërmadhohet.
Shqiptari e ka treguar nën vijën e historisë që e do atdhenë edhe në përpëlitjet e fundit të gramës së shpirtit, shqiptari i ndershëm…
Ekzistencializëm le të jetë, marrëzi në qoftë, e do atdhenë e tij dhe do vijojë ta dojë, duke vënë dhe jetën nën altarin e kombit. / MediaLajm.Al - Shekulli, Nje Shqiperi gri.
No comments:
Post a Comment