Bulqiza është qyteti minator më i rëndësishëm në Shqipëri, ku ka patur jetë mbi e nën dhè që këtu e gjashtëdhjetë vjet më parë. Sot po i dëgjohet ulërima e një heshtjeje të gjatë. Është ulërima e njerëzve të qetë, e njerëzve punëtorë, që zë fill në galeritë e harruara dhe dëgjohet në valët e radiove, shihet në ekranet e televizioneve e po mbush faqet e gazetave. E s’ka si të ishte ndryshe. Kjo është jehona e sakrificës, e djersës, e gjakut, e bukës së fëmijëve. Cdo minator mund t’a pyesë veten: E ç’shekull i shanseve të barabarta është ky, ku djersa pihet, ku gjaku shtypet, ku njeriu e shtrydh njeriun dhe e shndërron në kafshë pune? E ç’shekull i qytetërimit është ky, ku puna është skllavëri e zhvillohet me mjete tejet primitive, sikur ora e botës të mos ketë shkelur në këtë qytet? Nuk mjafton më një palë kominoshe pune, një kapelë e një lopatë…Të therr në shpirt ai vështrim nga qielli me shpresën se sytë e tu do e shohin dhe nesër dritën e diellit. Vdekja nuk është më fjalë e huaj për këta heronj të nëntokës. Ata jetojnë me të, çohen e bien me të, madje ia kanë dëgjuar dhe zërin e kobshëm. Për çdo ditë e kanë mbi krye që në agun e mëngjesit e gjer në errësirën e terrin e natës. Pavarësisht gjithçkaje, shpirti i tyre nuk përkulet, këmbët në s’iu mbajtshin hekur i bëjnë, duart në s’iu këputshin, gur i bëjnë. Punojnë ku të munden, jashtë e brenda minierës, në shi e acarr, pa respektuar kurrfarë kontrate (pjesa dërrmuese). Ky është ligji i pashkruar i kapitalizmit të tejskajshëm, ligji i xhunglës që shkatërron xhunglën ose për këtë rast ekziston një shprehje popullore: “më mirë në pyll se në qytet”. Ligji nënshtrohet nga paraja, shkatërrohet nen e kuvend, shteti bie në gjunjë para fuqisë kapitale e predominuese nga shtetet e zhvilluara evropiane. Kapitalisti i huaj është pronar në vendin tonë. Shfrytëzon brishtësinë financiare të shtetit e luan me shtetasit e tij. Por, i gjithë ky mjerim, vrer, shtypje e kanosje pa fund, vjen një ditë e shpërthen. Njeriu ngrihet mbi veten, rilind për një të ardhme më të më të shndrritshme, për një mirëqënie ekonomike, njësoj si mbinjeriu i Niçes. I tërë ky akumulim i ndjesisë së inferioritetit, e kthejnë shpirtin si një hambar të mbushur plot poshtërim e robëri. Dhe pikërisht, me këtë “forcë të heshtjes”, të kanosur pa shtypje, por të rrënjosur thellë në zemër, po dhe duhet të ngrihen minatorët e Bulqizës. Por që fatkeqësisht, edhe me këtë forcë, më e fortë se forca vetë, minatorët mbeten sërishmi të dobët, gjersa Shqipëria ende përpëlitet nga gjendja jo fort e mirë ekonomike. Më konkrretisht, zinxhiri A.C.R – Shtet – Minator, unë mendoj se ka hallkë të dobët Shtetin, pasi ai është i vënë nën presion nga të dyja palët. Rruga e paqtë është veçse administrimi i minierës nga një firmë vendase. Mirëpo, që miniera e Bulqizës të administrohet nga një firmë shqiptare, duhet një shtet i fuqishëm financiar. Përderisa kjo premisë nuk ekziston, konkluzioni është i vështirë të parashikohet. Pavarësisht kësaj, unë uroj e shpresoj që kërkesat ekonomike ( 20% rritje page, kërkesa kryesore ) dhe gjendja e minierës të përmirësohet. Gjithashtu, shpresoj që kjo “forcë e heshtjes” të mos jetë vetëshkatërruese, qoftë për minatorët, qoftë për shtetin. Dua me gjak e zemër që Bulqiza, të jetë e bulqizakëve e jo më qyteti i pasur me njerëz të varfër./ G - Rr.Arb., Shekulli.
No comments:
Post a Comment