Friday, August 31, 2012

Euro, një fund me tmerr apo një tmerr pa fund

Ekonomistët më të mirë të Evropës janë mbledhur së bashku për ti bërë një ekspertizë të veçantë gjendjes akute të euros.
Këta ekonomistë përfaqësojnë rryma të ndryshme të mendimit ekonomik dhe kauza e mbledhjes së tyre është rënia në konsensus për ardhmërinë e monedhës së përbashkët evropiane.
Në një shkrim të sajin, websiti “DW” flet mbi masat që mund të ndërmerren nën koncepte novatore ekonomike.
Sipas ekonomistëve në fjalë, reformat nuk duhet të jenë radikale, por strukturore.
Ata tregojnë për median gjermane se për tu zbërthyer nga klisheja ‘një fund me tmerr apo një tmerr pa fund’, duhen ndërmarrë paketa të menjëhershme nga çdo anëtar i Bashkimit Evropian.
Ekonomistët që konsiderohen plejada e kontinentit të vjetër, nuk janë dakord me faktin që vendet e jugut të jenë më të ‘rehatshme’, duke qenë se kriza nuk i ka prekur aq shumë.
Fjalia përfundimtare e tyre që mbyll kapitullin e teorive për një vënie në jetë të planeve është ‘të shpëtohet euro, por në çastin dhe mënyrën e duhur’.                                     

Monday, August 27, 2012

Bulqiza, qyteti i pasur me njerëz të varfër.

Bulqiza është qyteti minator më i rëndësishëm në Shqipëri, ku ka patur jetë mbi e nën dhè që këtu e gjashtëdhjetë vjet më parë. Sot po i dëgjohet ulërima e një heshtjeje të gjatë. Është ulërima e njerëzve të qetë, e njerëzve punëtorë, që zë fill në galeritë e harruara dhe dëgjohet në valët e radiove, shihet në ekranet e televizioneve e po mbush faqet e gazetave. E s’ka si të ishte ndryshe. Kjo është jehona e sakrificës, e djersës, e gjakut, e bukës së fëmijëve. Cdo minator mund t’a pyesë veten: E ç’shekull i shanseve të barabarta është ky, ku djersa pihet, ku gjaku shtypet, ku njeriu e shtrydh njeriun dhe e shndërron në kafshë pune? E ç’shekull i qytetërimit është ky, ku puna është skllavëri e zhvillohet me mjete tejet primitive, sikur ora e botës të mos ketë shkelur në këtë qytet? Nuk mjafton më një palë kominoshe pune, një kapelë e një lopatë…Të therr në shpirt ai vështrim nga qielli me shpresën se sytë e tu do e shohin dhe nesër dritën e diellit. Vdekja nuk është më fjalë e huaj për këta heronj të nëntokës. Ata jetojnë me të, çohen e bien me të, madje ia kanë dëgjuar dhe zërin e kobshëm. Për çdo ditë e kanë mbi krye që në agun e mëngjesit e gjer në errësirën e terrin e natës. Pavarësisht gjithçkaje, shpirti i tyre nuk përkulet, këmbët në s’iu mbajtshin hekur i bëjnë, duart në s’iu këputshin, gur i bëjnë. Punojnë ku të munden, jashtë e brenda minierës, në shi e acarr, pa respektuar kurrfarë kontrate (pjesa dërrmuese). Ky është ligji i pashkruar i kapitalizmit të tejskajshëm, ligji i xhunglës që shkatërron xhunglën ose për këtë rast ekziston një shprehje popullore: “më mirë në pyll se në qytet”. Ligji nënshtrohet nga paraja, shkatërrohet nen e kuvend, shteti bie në gjunjë para fuqisë kapitale e predominuese nga shtetet e zhvilluara evropiane. Kapitalisti i huaj është pronar në vendin tonë. Shfrytëzon brishtësinë financiare të shtetit e luan me shtetasit e tij. Por, i gjithë ky mjerim, vrer, shtypje e kanosje pa fund, vjen një ditë e shpërthen. Njeriu ngrihet mbi veten, rilind për një të ardhme më të më të shndrritshme, për një mirëqënie ekonomike, njësoj si mbinjeriu i Niçes. I tërë ky akumulim i ndjesisë së inferioritetit, e kthejnë shpirtin si një hambar të mbushur plot poshtërim e robëri. Dhe pikërisht, me këtë “forcë të heshtjes”, të kanosur pa shtypje, por të rrënjosur thellë në zemër, po dhe duhet të ngrihen minatorët e Bulqizës. Por që fatkeqësisht, edhe me këtë forcë, më e fortë se forca vetë, minatorët mbeten sërishmi të dobët, gjersa Shqipëria ende përpëlitet nga gjendja jo fort e mirë ekonomike. Më konkrretisht, zinxhiri A.C.R – Shtet – Minator, unë mendoj se ka hallkë të dobët Shtetin, pasi ai është i vënë nën presion nga të dyja palët. Rruga e paqtë është veçse administrimi i minierës nga një firmë vendase. Mirëpo, që miniera e Bulqizës të administrohet nga një firmë shqiptare, duhet një shtet i fuqishëm financiar. Përderisa kjo premisë nuk ekziston, konkluzioni është i vështirë të parashikohet. Pavarësisht kësaj, unë uroj e shpresoj që kërkesat ekonomike ( 20% rritje page, kërkesa kryesore ) dhe gjendja e minierës të përmirësohet. Gjithashtu, shpresoj që kjo “forcë e heshtjes” të mos jetë vetëshkatërruese, qoftë për minatorët, qoftë për shtetin. Dua me gjak e zemër që Bulqiza, të jetë e bulqizakëve e jo më qyteti i pasur me njerëz të varfër./ G - Rr.Arb., Shekulli.                                                      

Duf e vrer shqiptari për rilindje!

Po të ishte në jetë Migjeni, me siguri do të ish shumë i pezmatuar, i rrënuar në themel brenda shpirtit të tij poetik, që do ndizej flakë e prush nga ‘benzonati’ i derdhur pa fre mbi shoqërinë tonë.
Për disa, mbijetesa në Shqipëri është fushëbetejë me jetën, vatër e flakëruar që shëndrin që prej shekujsh, plagë e nxehtë për tu duruar e barrë e rëndë që të mbërthen gazin e shpirtit.
Një vend ku kryqëzohet i padjallëzuari, ku vrull i shpirtit të lirë djaloshar kacafytet me vorbullat e tsunamit të ameritokracisë e ku shpresa e sheh të gjelbërtën si mirazh.
Këngë migjeniane që buçasin, për të të çjerrë maskën e shpirtit, për të ta eksternalizuar ndjenjën nihiliste, që se do, s’do ta pranosh, por realitetin e sheh, ai të vret, të rrënon, të gjunjëzon.
Krim zien brenda shpirtit të shqiptarëve e për krim dëgjon kudo. Padrejtësi vlon brenda tyre, e padrejtësi sheh ngado.
Në këtë përleshje botësh askush nuk është i fituar. Ndihesh i pavlerë, i sakatosur, i dërrmuar.
Nën sunamblën obskurantiste, nën sakrifica sublime përpiqesh të zgjohesh, e ngrihesh, përpiqesh e kërcitesh sa të dridhet vendi, as sa s’ke nevojë të studiosh mbinjeriun e Niçes sepse tashmë je vetë një i tillë.
Shqiptari që jeton me dinjitet ndihet i këputur në flatra, i vrerosur në shpirt, që sheh shtetin tënd duke manifestuar 100-vjetorin jubilar shtetëror dhe paralel me të dhe vetën tënde, gjendjen mizerable të një vendi ku kudo e kurdo luftohet ashpër me jetën, pa nder e padrejtësisht.
Në Shqipërinë tonë i padrejti ngrihet në pietestal të pafrè, i drejtë varet në kryqin e gjynahit të së bërit mirë.
Në Shqipërinë tonë i ndershmi ç’nderohet, i pavleri lartësohet, i vogli gjunjëzohet e i madhi stërmadhohet.
Shqiptari e ka treguar nën vijën e historisë që e do atdhenë edhe në përpëlitjet e fundit të gramës së shpirtit, shqiptari i ndershëm…
Ekzistencializëm le të jetë, marrëzi në qoftë, e do atdhenë e tij dhe do vijojë ta dojë, duke vënë dhe jetën nën altarin e kombit. / MediaLajm.Al - Shekulli, Nje Shqiperi gri.                  

“Grexit”, a përballohet?

A mund të përballohet nga shtetet më të fuqishme evropiane dhe eurozona një “Grexit”? Cila do të ishte kostoja e një dalje të Greqisë nga eurozona?
Argumentet pro dhe kundër shtetit grek në eurozonë nuk mungojnë nga shumë analistë, zyrtarë të lartë ekonomik evropian dhe lider shtetesh.
Fakti që serviret përpara pjatës së përbashkët evropiane është se vendi helen as nuk i përafrohet një konsolidimi të mundshëm të monedhës së euros.
Athina zyrtare, me gjithë përpjekjet nuk mund të mbulojë një krizë të tillë të thellë borxhesh që ka mbërthyer vendin.
Çështja që vihet në diskutim është nëse Greqisë i duhet treguar vendi që meriton jashtë ‘vijës së verdhë’ të euros apo duhet mbështetur, paçka pasojave negative që mund të sjellë në hapësirën ku qarkullon monedha e euros.
Max Otte, siç raporton portali gjerman “DW”, është tepër radikal në qëndrimet e tij lidhur me krizën e borxheve të vendit helen.
“Nëse Greqia del nga euro, tregjet do të ringriheshin menjëherë, bursat dhe të dhënat financiare kudo në Evropë, pasi shteti grek është një ingranazh brenda BE që ngec.” – ka analizuar Otte.
Situata e nderë e borxheve greke bie në shpatullat e Gjermanisë, ku revista e famshme ekonomike “The Economics” sqaron se shteti gjerman do të humbsite mbi 17 milionë euro nëse Greqia del nga zona e euros.
Fatura e Gjermanisë është e rëndë, pasi kjo shumë përbën 4.5 për qind të PPB të ekonomisë gjermane.
Kjo ndodh pasi shteti gjerman është ai që ka investuar më së tepërmi në vendin helen.
Pasojat bëhen edhe më katastrofale për eurogrupin, në rast se Greqia nxirret jashtë eurozonës.
Rreziku më i madh sërish iu kërcënohet taksapaguesve gjermanë, edhe në rast se Greqia qëndron, pasi janë ata të cilët paguajnë për ti dhënë dorën e shpëtimit Greqisë.
Ndoshta politikanët elitarë evropianë do të vijojnë me divizën e vjetër të politikës ekonomike, asaj të qëndrimit në eurozonë të grekëve dhe shikimit gjithnjë përpara të Evropës, por koha po kthehet në armikun më të madh të kësaj teorie.    

Sunday, August 26, 2012

Balkan Insight: Gjykatat shqiptare të korruptuara

Gjykatat në Shqipëri vazhdojnë të nxjerrin vendime të lehta për rastet e korrupsionit në gjyqësor, raporton portali lajmor ballkanik Balkan Insight.
“Edhe pse prokurorët vërtetuan se tre të pandehur, kolegë të tyre u përpoqën të ndikojnë një vendim për vrasje, ata nuk do të dënohen në burg për arsye humanitare” – shkruan Balkan Insight në këtë raport.
Kryetari i trupit gjykues i ka pezulluar dënimet për tre të pandehurit, të cilët u përpoqën për të ndikuar në vendimin e Gjykatës Supreme të Vilson Millaraj, i cili ka qenë i dënuar me 20 vjet burg për vrasje.
“Nga përgjimet në telefon rezultoi se 2 nga 3 anëtarët e trupit gjykues kishin mbledhur shuma të majme parash për të zgjidhur çështjen në favor të Millaraj”. – thanë prokurorët në muajin shkurt.
Referuar agjencisë së lajmeve Balkan Insight, rasti i këtij korrupsioni, duke përfituar nga lidhjet e gjakut, pasi i dënuari për vrasje Millaraj është nipi i prokurorit Dizdari, përbën një nga rastet më të larta të korrupsionit në drejtësinë shqiptare.
Kjo agjenci shton se prokurorët në Shqipëri pengohen seriozisht në hetimin e gjyqtarëve, pasi këta të fundit kanë imunitet sipas ligjit.
“Çështja nuk shihet si një akt-akuzë kundër një gjyqtari apo prokurori, por si një aktakuzë kundër një miku apo kolegu.” – mbyll Balkan Insight.                       

Maqedoni, ‘lufta’ vëllavrasëse ndërshqiptare

Maqedonia është një shtet shpesh i diskutuar në kuadër rajonal, përgjithësisht në dy aspekte kryesore. Së pari, çështja e emrit e pazgjidhur ende me fqinjin e saj jugor, Greqinë dhe së dyti shteti maqedon ka në përbërje të saj etni të ndryshme ballkanase. Nga njëra anë Bullgaria është e para që pretendon se në këtë shtet nuk ka maqedonas, por në të jetojnë mbi 1.2 milionë bullgarë dhe nga ana tjetër janë shqiptarët, të cilët përbëjnë “opozitën” në popullatë. Kjo situatë ka lindur si shkak i historisë së Ballkanit, ku ky shtet u bë pjesë e Federatës Jugosllave, por pa patur një etni të përcaktuar qartazi. Çështjet janë shumë komplekse dhe kërkojnë një trajnim e diskutim të gjërë për të patur zgjidhje. Shqiptarët në këtë republikë u stisën nga grupe të caktuara sllave, që riformuan një realitet represiv pozicionimi gjeografik. Në vitin 1996, në Ohër u nënshrua një marrëveshje që mban emrin e këtij qyteti. Në bazë të saj, shteti maqedonas iu ka njohur një sërë të drejtash etnive dhe mbi të gjitha ka pranuar se Maqedonia është republikë shumëetnike. Që nga viti 1991 e deri më sot konfliktet ndëretnike nuk kanë munguar kurrë në Maqedoni dhe gjithmonë është luftuar politikisht, por deri edhe në konflikte të armatosura si ai i vitit 2001 në Tanush të Shkupit mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Ky konflikt, mes UÇK (Ushtria Çlirimtare Kombëtare) dhe Forcave të Sigurimit të Maqedonisë lindi për shkak se Marrëveshja e Ohrit nuk po gjente zbatim nga dita në ditë. Mirëpo, sot është lënë pas konflikti me armë dhe politika shqiptare duket se nuk funksionon si duhet në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve brenda konfiguracionit maqedonas. Ata janë ndarë edhe në parime e vizione, ku disa parti politike kërkojnë t’i përmbahen me rigorozitet Marrëveshjes së Ohrit ( PDSH) dhe disa të tjera kërkojnë federalizim brenda për brenda Republikës së Maqedonisë (BDI, Demokracia e Re). Defekt tjetër në politikbërjen shqiptare në Maqedoni, defekt që rrihet edhe nga mendimtarë e politolog në këtë vend, është edhe fakti se partitë shqiptare rivalizojnë njëra-tjetrën dhe jo në tërësi në gjithë politikbërjen e ish-Republikës Jugosllave, ku në pushtet kanë qenë gjithnjë parti sllave. Duke parë të gjithë këtë situatë kaq të ashpër, BE nga ana e saj bën thirrje gjithmonë për t’iu përmbajtur Marrëveshjes së nënshkruar në Ohër, me qëllim eliminimin e vatrave të nxehta nacionaliste. Për të bërë një rezyme të krejt situatës së shqiptarëve dhe përfaqësuesve të tyre në Maqedoni, sot foli Gafurr Adili, kryetar i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar. Duke thënë fjalën e tij për agjencinë INA, Adili u shpreh: “Për dy dekada, që nga udhëheqja e Titos e deri më sot shqiptarët në Perëndim të shtetit maqedon janë dhe vazhdojnë të denigrohen. Më shumë se çdo tjetër, sesa Branko Crvenkovski, Kiro Glikorov apo Luço Gjeorgievski, shqiptarët janë diskretituar më së shumti nga Nikolla Gruevski i VMRO”. Duke folur për gjendjen e shqiptarëve në kuadër të shtetit sllav Adili, gjithnjë duke iu referuar INA-s tha: “Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë as identitet shtetëror e kombëtar ( siç ka Greqia), as gjuhë kombëtare (siç kanë bullgarët) dhe as Kishën e tyre Autoqefale (siç kanë serbët). Partitë politike po zbatojnë politikën kolaboracioniste me moton ‘Përça e sundo’!” Adili shprehet thuajse në një vijë edhe me intelektualë të tjerë shqiptarë, ku lufta e paepur për pushtet ka sjellë ‘luftë’ vëllavrasëse ndër-shqiptare.      #26.06.12#                           

The Guardian: Serbia mes fajit dhe viktimizimit, serbët fshehën kriminelët e luftës

Gazeta e famshme britanike ‘The Guardian’, në një raport investigues të sajin nxjerr në pah se edhe pas 13 vjetësh nga Luftërat Ballkanike të pas viteve 90-të, ende shteti serb nuk ka kapur të gjithë të dyshuarit për krime lufte.
“Një vend i cili lëkundet mes ndjenjës së fajit dhe viktimizimit, ku strehohen kriminelë lufte nga institucionet dhe elita e shtetit serb”. – kështu e ka nisur shkrimin e saj ‘The Guardian’.
Kjo gazetë e përforcon përfundimin e saj me intervista të marra nga Prokurorë serbë, të cilët vënë në dukje dorën e elitës serbe në strehimin e kriminelëve të luftës për krime në Bosnje dhe Kosovë.
Ideja e një lidhje të fortë mes institucioneve serbe dhe kriminelëve të gjykuar në mungesë në këtë vend, shtohet dhe më tej kur dimë se tashmë në krye të shtetit serb është Tomislav Nikoliç.
Ky i fundit, ka qenë zyrtar i lartë i Partisë Radikale Serbe nën drejtimin e Vojislav Shejshel, i cili aktualisht akuzohet nga Tribunali i Hagës si kriminel lufte.
Prokurori serb për krime lufte Vladimir Vukçeviç, duke folur për situatën në fjalë, thotë: “Hapat tanë në gjurmim të kriminelëvë të luftës kanë shkuar disi larg tashmë. Ne kemi gjurmuar dhe identifikuar persona, të cilët kanë ndihmuar në arratisjen e të dyshuarëve për krime lufte. Së shpejti, kundrejt personave ndihmës për t’i strehuar të gjykuarit nga Haga, do nisim ndjekje penale.”
Për të treguar se elita serbe ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit në krime lufte, mjafton të përmendim disa raste të tilla.
Ratko Mlladiç, lideri i ushtrisë serbe të Bosnjes, gjykimi ndaj të cilit është hapur veçse një muaj më pare, ka jetuar hapur dhe pa ndroje në kazermat e ushtrisë serbe.
Radovan Karaxhiç, lider i serbëve të Bosnjës, që i është shmangur drejtësisë deri në vitin 2008, besohet të jetë përkrahur nga inteligjenca serbe.
Goran Haxhiç, i kapuri i fundit ndër të arrestuarit është ndihmuar nga Kisha Ortodokse Serbe, ndërsa është strehuar për disa kohë edhe në Rusi.
“Shteti ynë nuk duhet t’a bëjë këtë. Këta njerëz nuk duhet t’a bëjnë këtë. Secili duhet të ndihet fajtor për atë ç’ka bërë brenda vetes”. –është shprehur për ‘The Guardian’ avokati i të Drejtave të Njeriut në Beograd.
Ish-Presidenti serb, Boris Tadiç bëri gjithçka për të kapur kriminelët e luftës në territorin serb dhe në këmbim Serbia mori statusin e vendit kandidat për në BE.
Mirëpo, panorama u ndryshua kur në krye të Presidencës erdhi Tomislav Nikoliç, i cili me të ardhur në këtë post mohoi edhe të ketë patur genocid në Srebrenicë.
Në hetim, Prokurorët e Serbisë kanë përfshirë edhe plot 30 gazetarë, të cilët kanë patur gisht në fshehjen e të akuzuarve nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte.
Siç duket, e gjithë elita dhe pjesa intelektuale serbe ka bashkëpunuar ngushtë për të mbajtur larg gjykatave të dyshuarit për krimet më të egra të ndodhura ndonjëherë në Ballkan.     

Vojvodina me filozofi pro-evropiane

Vojvodina është një njësi autonome e Republikës së Serbisë në Jug të kësaj të fundit.
Si një provincë autonome brenda territorit serb, Vojvodina ka Kuvendin e saj, ku qytetarët vojvodinas vendosin për fatet e tyre.
Provinca përbëhet nga shumë etni, serbë, hungarezë, sllovakë, kroatë, rumunë e rusë dhe në të fliten 6 gjuhë zyrtare.
Pavarësisht një popullësie të përzier etnikisht, Vojvodina në parlament ka përfaqësues me shumicë të partive pro-evropiane.   
Shtylla themelore e koalicionit në Vojvodinë u krijua nga demokratët me 58 vende në Parlament, ndërsa pas saj vjen Partia Përparimtare Serbe me vetëm 22 vende të tilla.
Dushko Radosavljevic vlerëson rolin e qytetarëve të Vojvodinës, kur thotë: “Vojvodina nuk voton rastësisht. Çdo vullnet politik lidhet me të ardhmen e provincës. Kujtojmë se Vojvodina ka votuar edhe në kohë të Millosheviçit kundër tij”.
Ndërsa një redaktor i një portali në këtë vend beson se ky është argumenti më i mirë se qytetarët e krahinës kërkojnë artikulim politik të idesë së një autonomie substanciale.     

National Geographic promovon rivierën shqiptare dhe atë ballkanase

“National Geographic”, një organizatë e famshme botërore për zbulime dhe eksplorime destincionesh për t’u vizituar, ka zgjedhur të proklamojë bukuritë madhështore që të falin vendet ballkanike, në mes të së cilave gjendet edhe vendi ynë.
Në një projekt të sajin, stafi i “National Geographic” ka përfshirë Ballkanin Perëndimor si një destinacion turistik potencial për t’u vizituar.
Projekti, me mbështetje financiare nga USAID, synon të targetoj Shqipërinë si një vend turistik, por njëkohësisht edhe të integrojë atë në tregun e rajonit.
Në këtë kuadër shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia do të kenë një portal të tyrin në faqen online të kompanisë me famë botërore.
Në këtë mënyrë, organizata dhe njëkohësisht kanali i fuqishëm mediatik “National Geographic” shërbejnë si një instrument kryesor në promovimin e kulturës, turizmit dhe traditës së Ballkanit dhe vendit tonë.    

Eurostat: Ballkani më i varfëri, në Shqipëri jetohet më keq

Eurostat, Institututi i Statistikave i Evropës ka klasifikuar Shqipërinë si ndër vendet më të varfëra të Evropës, por ku jetohet më keq se në çdo vend i kontinentit.
Vendi më i varfër i Evropës sipas Eurostat është Bosnje-Herzogovina, e cila ka 27 % të të ardhurave të mesatares së vendeve evropiane dhe menjëherë pas saj renditet vendi ynë me 31 % të të ardhurave mesatare të Evropës.
Harta e përfshirjes së vendeve më të varfëra në kontinentin plak, nuk le pa futur edhe Serbinë, shtet që përmbush 35 % të të ardhurave evropiane.
Shqipëria renditet më keq në indeksin e konsumit, si rrjedhojë është vendi ku ka cilësi jetese më të dobët.
Bosnje-Herzegovina, edhe pse është një vend me të ardhura më të ulëta se Shqipëria, sërish ka një indeks më të lartë të konsumit se vendi ynë.
Raporti ka rezultuar ekstrem edhe për vende të mirënjohura për standarde të larta të jetesës në Evropë.
Vendi i parë me mirëqënien më të lartë renditet shteti i vogël i Luksemburgut, me plot 274 % të të ardhurave mesatare evropiane.   

Maqedoni – Greqi, ç’do të ndodhë me çështjen e emrit?

Rezultatet e zgjedhjeve në Greqi kanë ndarë opinionistët, lidhur me çështjen e emrit që kanë dy shtetet ballkanike.
Zgjedhjet u fituan nga Demokracia e Re dhe kreu i kësaj partie, Antonis Samaras njihet si person me qëndrime negative në raportet me ish-republikën Jugosllave.
Denko Malenski, ish-ambasador i shtetit maqedonas në Kombet e Bashkuara, shprehet se rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të konsiderohet një progres për çështjen e emrit.
“Rezultati i zgjedhjeve të mëparshme, atyre të 6 majit ishte kundër arritjes së një koncensusi mes dy shteteve, për shkak se një përkrahje e gjerë iu dha partive ekstremiste.” – vijon fjalën e tij Malenski.
Ai shtoi se pavarësisht qëndrimit të mëparshëm të Samaras, kreut të Demokracisë së Re në Greqi, shpresoj se vija e tij politike do ndryshojë.
“Qëndrimet e tij politike tashmë duhet të jenë në dobi të shtetit grek dhe për këtë Samaras duhet të ndjekë një politikë evropiane, gjë që do shuante konfliktet dhe do i shtronte rrugën e mirëkuptimit Greqisë dhe Maqedonisë.” – përfundon fjalën ish-ambasadori maqedonas.
Shpresohet që rezultati i zgjedhjeve të ketë patur ndikim pozitiv mbi çështjen në fjalë, atë të emrit, pasi në pushtet janë konservatorët grekë, të cilët duhet të punojnë për stabilitet vendor dhe rajonal.
Por, në Greqi sapo është formuar qeveria dhe ende nuk është diskutuar zyrtarisht çështja e emrit.     

Raporti, shqiptarët më të varfër se maqedonasit

Sipas një raporti të kryer në shtetin maqedonas nga Instituti për Punë Sociale në ish-republikën Jugosllave, shqiptarët janë më të varfër sesa maqedonasit.
Raporti është kryer duke marrë parasyh grupet etnike që jetojnë në vendin fqinj.
“Grupi më i varfër dhe i kërcënuar mjaft edhe nga varfëria e tejskajshme janë romët, ku mbi 61 % të tyre jetojnë në rrezik varfërie.” – tregon raporti.
Në vend të dytë si më të varfër renditen turqit, ku rreth 46 % e tyre kërcënohen nga varfëia.
Pas tyre renditen shqiptarët, 34.3 % e të cilëve jetojnë në kushte jo të mira ekonomike dhe në fund maqedonasit me afro 17 % të popullësisë së varfër.
Raporti i dalë nga zyrat e Punëve Sociale të Shkupit tregon se gati gjysma e popullsisë në këtë shtet jeton në kushte varfërie.
Anketa, në të dhënat e saj përfshin dhe element të tjerë mbi mënyrën dhe shkallën e jetesës.
Ajo tregon se plot 58 % e grupeve etnike kënaqen thjesht me nevojat elementare të jetës, ndërsa mbi 20 % nuk mund të sigurojnë as nevojat themelore që ka njeriu.
Anketa në shtetin e Maqedonisë u krye në kuadër të indikatorëve “Evropa 2020”   

EuroNews, reportazh me objekt dhunën etnike në Maqedoni

Kanali televiziv evropian EuroNews, në një reportazh të tijin ka patur në fokus dhunën etnike dhe situatën e acarruar në Republikën e Maqedonisë.
“Në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë ka tension të vazhdueshëm etnik dhe fetar. Vrasja e pesë burrave në këtë republikë ka ringjallur tensionet e vitit 2001, vit kur gati shpërtheu luftë civile mes shqiptarëve dhe maqedonasve”. – fillon reportazhin stacioni televiziv EuroNews.
Në këtë reportazh, pjesë e personazheve të tij ka qenë dhe kryetari i komunës së Brodecit, komunë në afërsi të Gostivarit.
Ai është shprehur në intervistën e tij se kërkon shanse të barabarta ekonomike me shtetasit maqedonas dhe nuk i intereson dhe aq çështja e kufijve.
“Qendra më e madhe e shqiptarëve në Maqedoni është Tetova, ku ka dhe një pakicë të popullsisë turke. Në Maqedoni ka një konflikt të ashpër etnik, e sidomos mes të rinjve dhe të rriturve, ndërsa më pak mes më të vegjëlve.” – vazhdon reportazhi i një ndër televizioneve më të mirë lajmor evropian.
Ish- ministri i Jashtëm i Republikës së Maqedonisë, Slobodan Çashule akuzon shërbimet sekrete serbe, se janë ata që qëndrojnë pas konflikteve ndëretnike në ish-republikën jugosllave.
Ndërsa Naser Selmani, kreu i Shoqatës së Gazetarëve në vednin fqinj, lidhur me çështjen në fjalë është shprehur se problemet janë të brendshme dhe se ende ka një frymë motivuese për të ndarë Maqedoninë.  

Rizgjimi i partive ekstremiste në Evropë

Në gjirin e partive kryesore të politikës mbarëevropiane, ka parti me tendenca ekstremiste. Vihet re se popullësia e shteteve të përparuara evropiane është e pakënaqur me valet e emigrantëve në drejtim të tyre.
Nga Greqia në Angli po lind një valë e partive radikale, që në programet e tyre përmbajnë kauza ekstreme.
Greqi – Në shtetin Helen, partia Agimi i Artë, sipas sondazheve gëzon një popullaritet prej 7 % të elektoratit.
Kauza e kësaj partie me pikëpamje naziste është dëbimi i emigrantëve, të ligjshëm ose të paligjshëm në shtetin grek.
Kreu i Agimit të Artë, Nikolaos Mihaloliakos nuk e pranon të qenurit neo-nazist, megjithëse në të gjitha tubimet ai përshendet në mënyrë naziste.
Mihaloliakos ka një vijë politike aq radikale në lidhje me emigrantët, saqë vrasjen nga një grek të një shqiptari, teksa ky i fundit kishte tentuar të grabiste e cilësoi një veprim të duhur.
Austri – Partia e Lirisë të së Djathtës, nisur nga pakënaqësia në popull për koalicionin mes demokratëve dhe konservatorëve, po përfiton shumë elektorat.
Sipas sondazheve elektorale, kjo parti renditet herë si kandidate e parë për të marrë frerët e qeverisë e herë pozicionohet në vendin e dytë.
Partia e Lirisë të së Djathtës, në thelb të programit të saj ka ndalimin e vajzave myslimane me shami dhe moslejimin e ndërtimit të xhamive në këtë shtet.
Francë – E majta ekstreme, kryesuar nga Marinë Le Pen fitoi 18 % të votave në zgjedhjet presidenciale të muajit që lamë pas. Kjo parti udhëhiqet nga perspektiva anti-emigracion dhe tatime të larta në mallrat e importit.
Zvicër – Partia e Popullit në Zvicër ka transformuar krejtësisht fytyrën e saj. Nga një parti e vogël dhe e zonave rurale, ajo tashmë po bën fushata të egra kundër emigracionit dhe BE-së.
Holandë – Partia e Lirisë, grup anti-islamik ka mbajtur frymën e koalicionit qeverisës në “vendin e ulët”. Kjo parti, udhëhequr nga Gert Uilders, ka tashmë 18 muaj në pushtet.
Belgjikë – Partia separatiste flamane fitoi në zgjedhjet e fundit të 2010, 7.6 % të votave. Orientimi programor i partisë bazohet në masat e ashpra kundër emigracionit .
Angli – Partia Kombëtare Britanike anti-emigracion, në një vend aq demokratik sa Anglia, ka arritur të futet në vallen e partive të mëdha. Ajo kapi shifrën e 6.3 % të votave në zgjedhje.    

Bustet “dergjen” qosheve të Kryeqytetit!

Figurat historike të një kombi i japin atij vlerë ndër popuj të tjerë dhe përbëjnë imazhin ndër sytë e të huajve.Kombi shqiptar ndër shekuj e breza ka nxjerrë nga gjiri i saj figura me vlera jo vetëm kombëtare, por duke kaluar kufijtë transoqeanik. Mjafton të përmendin humanisten e madhe, bamirësen e Kalkutës, ndaj së cilës përulet sot e mbarë bota, Nënë Tereza.
Ndërsa qytetarët evropianë e më gjerë figurën e Gonxhe Bojaxhiut, e njohur botërisht si Nënë Tereza e mbajnë si figurë mishërimi drejt pastërtisë hyjnore, në Shqipëri statura e një fituese të çmimit Nobel ka rënë vërtetë shumë poshtë.
Nëse një i huaj viziton kryeqytetin tonë, Tiranën dhe kërkon bustin e humanistes së madhe, gjetja e saj është thuajse e pamundur. Nënë Tereza e famshme, e cila vetëdeklaroi se me gjak është shqiptare, struket në një qoshkë në të majtë të Universitetit Politeknik të Tiranës.Duket se askush nuk kujdeset për të, madje janë të rrallë ata që vënë re prezencën e saj në një vend kaq të papërshtatshëm.
Është një turp, që një figurë me imazhin më të mirë që mund të krijojë për një popull jashtë kufijve të saj, të struket në një vëndth të tillë.Turpi nuk mbaron me kaq. Në bulevardin kryesor të Tiranës, shumë pranë “kullave Blu”, gjenden në një gjendje si mos më keq bustet e tre vëllezërve të Rilindjes sonë Kombëtare.
Mbi to janë shkruar e zhgarravitur mesazhe e grafite aspak të denja për vëllezërit Frashëri. Përpos kësaj, shumë pranë tyre gjenden të hedhura aty-këtu mbeturina e mbetje, duke ndotur ambientin përreth.
Gjithashtu, në bustin tjetër të Frashërllinjve në Liqenin Artificial ka mbishkrime të ngjashme.
Është një turp jo vetëm i një organizmi apo i disa personave, por që njollos faqen e të gjithë shqiptarëve dhe reputacionit të tyre nëpër botë.
Institucionet përgjegjëse që përgjigjen për mirëmbajtjen e veprave kulturore të kombit duhet të ndërgjegjësohen dhe të ndërhyjnë për të ndryshuar këtë gjendje mizerable të figurave që nderojnë kombin shqiptar.     

Fushata presidenciale në Amerikë, në dorë të ekonomisë

Ekonomia është çështja kryesore në fushatën presidenciale që po zhvillohet në SHBA.
Analistët thonë se paqëndrueshmëria ekonomike që haset dhe në shtetin më demokratik të botës, ka bërë që kjo e fundit të jetë shtylla ku do përqendrohen dy kandidatët për president.
“Besoj se njerëzit para se të votojnë do pyesin: Ku po shkojmë? A po shkojmë ekonomikisht në drejtimin e duhur? Mbi bazë të këtyre pyetjeve ata do votojnë kandidatin më potencial”. –shprehet John Fortier, analist i mirënjohur në SHBA.
Duket se republikanët e kanë marrë veten nga zgjedhjet presidenciale të kaluara dhe besojnë më shumë në fitoren e kandidatit të tyre, ish-guvernatorit të Masaçusetsit Mitt Romney.
Rritjen e papunësisë me norma të ulëta në masën 8.2% dhe luhatjen e bursës, ekspertët e cilësojnë si kauzën në garën e nëntorin mes Presidentit aktual Barack Obama dhe kandidatit republikan Romney.
Gara është mjaft e ashpër dhe popullariteti i Obamës po bie nga dita në ditë, e ndërsa republikanët duken më energjikë.
Sipas sondazheve të fundit, Obama gëzon 44% të popullariteti kundrejt 41% të kandidatit tjetër Romney.                      

Bild: Ballkani s’ka më luftë, as ndryshime kufijsh

Ballkani do jetë një vend paqësor, ku vendet kanë synim BE-në dhe s’do ketë më luftëra e ndryshime kufijsh shtetërorë.
Kështu u shpreh Karl Bild, ministri suedez për Punët e Jashtme, gjatë një interviste për EU Inside.
“Unë besoj se vendet e Ballkanit në strategjitë e tyre kanë bashkimin me vendet evropiane dhe qëndrimit sa më larg të ndonjë konflikti të mundshëm. Vendet e këtij rajoni janë të përqendruar tek axhenda evropiane, si përparimi social, reformat ekonomike dhe luftimi i korrupsionit.”
I pyetur nga EU Inside për krizën greke, Bild tha i vendosur se ky shtet do qëndrojë brenda hapësirës së zonës euro. Më tej, ai nënvizoi se pas 10 viteve anëtarët e grupit të eurozonës do jenë të shumtë në numër.
                                                                                    

Liberalizimi i vizave për Kosovën, jo para 2014!

Bashkimi Evropian, në vlerësimet për proçesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, është shprehur se proçesi do ndodhë, por me shumë gjasa jo para vitit 2014-të.
Ky ka qenë mesazhi që i ka ardhur Kosovës nga zyrtarët e BE-së në Bruksel.
Kosova ka tashmë në dorë të saj udhërrëfyesin me 101 pika, të cilat janë orientimi i këtij shteti drejt procesit të liberalizimit të vizave.
Udhërrëfyesi për shtetin e Kosovës, ndryshe nga vendet e rajonit mban thuajse dyfishin e pikave për t’u plotësuar, me qëllim përfitimin e liberalizimit të vizave në zonën Shengen.
“ Gjithçka mbi këtë proces varet nga pala e shtetit kosovar dhe puna e tyre në këtë drejtim. Por, të paktën deri më 2014 nuk ka gjasa që liberalizimi të ndodhë.”
Megjithëse zyrtarët e Kosovës kanë propaganduar për liberalizim vizash për në zonën Shengen, duket se kjo deklaratë nga ana e zyrtarëve evropianë ka ndalur disi shpresat e mëdha të zyrtarëve kosovar.  
    

Në zemrën e brazilianëve ndrin një shpresë e re

Brazili, vendi që njihet së tepërmi për lagjet e tij të varfëra, për njerëzit e skamjes, për dallimet e skajshme e ndarjet klasore, po kthehet në një shtet model për mbarë globin.
Kështu e përshkruan CNN, i cili në një reportazh për vendin ekuatorial përshkruan ndryshimet radikale që po përjeton ky vend.
Brazili është cilësuar si një luftë suksesi kundër korrupsionit, gjë e cila ka sjellë liri, drejtësi dhe mbi të gjitha barazi për çdo qytetar, pavarësisht shtresës sociale që ky i fundit i përket.
Në reportazhin e tij, televizioni botëror merr në shyrtim jetën e një shoferi autobuzi në një provincë.
Në intervistën dhe vëzhgimin nga afër, shoferi tregon se lagjia e tij, që diku shihej e pashpresë dhe ofronte një pamje të trishtë, tashmë ka ndryshar fytyrë.
“Në lagjen tonë janë ndërtuar kinema, lulishte, shëtitore dhe lulet janë prezente kudo.” – shprehet shoferi brazilian.
Ai shton më tej se njerëzit duken tashmë më të kënaqur dhe janë pakësuar krimet e vrasjet, ndaj ndihesh më i sigurt.
CNN flet se nëse një gazetar që shkonte në Rio shkruante gjithmonë për papastërtinë e plazheve, për mbeturina apo gjëra të ngjashme, tashmë ata flasin për turizëm të mirfilltë.
Stacioni ndërkombëtar vë në dukje se Brazili po bëhet një model për vendet e rajonit të saj dhe më gjetkë.
Ky shkrim rrit përveç të tjerash vlerat e qeverisë për funksionalitetin e saj qeverisës.  

Kosova, realiteti i ri drejt BE-së

Kosova përpara saj ka një rrugë të bukur, por dhe aq të vështirë, atë të Bashkimit Evropian.
Autoritetet kosovare, ashtu siç raporton “Zëri i Amerikës”, në rrugën drejt BE-së i druhen dy fakteve.
Së pari, fakti që Kosova nuk gëzon njohjen e pesë shteteve anëtare të Unionit Evropian dhe së dyti, çështja e veriut të Kosovës.
Këta zyrtarë shprehen se çështjet e mësipërme nuk do të pasqyrohen në rrugën e shtetit më të ri në Ballkan për të aspiruar në strukturat evropiane.
Marrëveshja që të bën pjesëtare të BE-së ratifikohet me çdo shtet si rast individual.  

Marrëveshja e Ohrit, “paqe” e luftës politike në Maqedoni

Në vitin 2001 Maqedonia u përball me një luftë civile mes qytetarëve të saj, për shkak të pakënaqësive të këtyre të fundit lidhur me të drejtat e tyre.
Lufta, e cila vuri përballë ushtrinë maqedonase me UÇK-në (Ushtria Çlirimtare Kombëtare) përfundoi në saj të një ndërhyrje të elitës së politikës të vendit.
Kjo marrëveshje hapi një horizont të ri për shtetin maqedon drejt strukturave euroatlantike.
Edhe pse zyrtarisht marrëveshja e arritur në qytetin liqenor ka thuajse 8 vjet që ka skaduar, ajo vijon të praktikohet në institucionet e shtetit të Maqedonisë.
Mersim Dauti, duke folur për “DW” iu drejtohet me vërejtje të dy palëve në politikën e vendit.
“Maxhoranca dhe opozita nuk duhet të ndeshen me njëra-tjetrën për të fituar garën e tyre politike, por të mendojnë për të ardhmen e vendit duke kërkuar ndihmën e ndërkombëtarëve për marrëveshjen.” – tha universitari Dauti.
Kur flitet për Marrëveshjen e arritur në Ohër nuk duhen lejuar deklaratat me ngjyrime politike apo nacionaliste, pasi ajo përbën themelin e një paqeje të qëndrueshme mes etnive në Maqedoni.
Analistët më të rëndësishëm të politikbërjes së ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë hedhin dyshimin se skadimi në kohë i marrëveshjes mund ta shndërrojë këtë të fundit në një dokument pak të rëndësishëm për të mbajtur në këmbë një shtet funksional e multietnik.
Ndërsa politika maqedonase e vlerëson dokumentin si një akt që ndihmon shtetin për aspiratat e mëtejshme, ajo shqiptare po shqyrton edhe mundësinë e një marrëveshje të re, pasi ajo e Ohrit po shpërdorohet së tepërmi nga institucionet.
Vetëm disa kohë më parë shoqëria civile shqiptare shpërtheu në demonstrata për faktin se u shkel norma më themelore e nënshkruar në marrëveshje , ai i përplotësimit të 20 % të posteve shtetërore të personave me etni shqiptare.   

Veriu dhe Jugu i Evropës

Evropa mesa duket ka qenë dhe do të jetë e ndarë si me thikë përsa i përket të ardhurave që gëzojnë vendet respektive të saj.
Veriu në Evropë është bërë ekuivalencë e fjalës “rrokaqiell”, ku nënkuptohet zhvillim, prosperitet dhe mirëqënie.
Jugu është më i prapambeturi i kontinentit të lashtë, i prekur gjerësisht nga modeli komunist përgjatë shekullit që lamë pas, vuan ende pasojat e tij dhe integrimi është një mekanizëm që lëviz ngadalë.
“DW” merr në shqyrtim situatën ekonomike të shteteve evropiane dhe e ndërlidh atë me krizën aktuale që po kalon Evropa.
Menjeherë pas vitit 2004, vit kur hartës së Unionit Evropian iu bashkuan edhe disa shtete të pjesës jugore, duke kapërcyer kështu një ndarje të rreptë mes kombeve, lindja u duk se po ringjallej.
Kontinenti plak, pavarësisht krizës, një ditë do të jetë e formatuar në një konfiracion gjeografik, atë të BE-së dhe diferencat në nivel ekonomik janë të mëdha.
Raportet e fundit tregojnë se kriza ka qenë gjithëpërfshirëse dhe se nuk ka ndikuar fuqishëm për të prishur disnivelet që kanë shtetet me njëra-tjetrën.
Luksemburgu është shteti që ruan supermacinë në aspektin e mirëqënies sociale, ku një banor i saji i ka të ardhurat mujore në nivelin e 271 për qind të mesatares evropiane.
Po të zbresësh në rankim, mesi i artë mbulohet nga Italia dhe Spanja, qytetarët e të cilave paguhen sa niveli mesatar i një evropiani.
Rumania dhe Bullgaria, dy shtetet që përfaqësojnë rajonin jugor të Evropës dhe u bënë së fundmi pjesë të strukturës euroatlantike janë vendet me nivelin më të dobët ekonomik.
Rumunët marrin pagë mujore dy herë më të ulët sesa një evropian mesatar, shteti i të cilët është në BE (46%) dhe po e njëjta gjë ndodh edhe me një bullgar (43%).
Për të demonstruar faktin se kriza nuk ka ndikuar në të dhënat për frymë në shtetet e Evropës, portali i lartpërmendur merr në shqyrtim dy vendet më të prekur nga kriza, Greqinë dhe Portugalinë.
Qytetarët e këtyre shteteve gëzojnë respektivisht 90 % dhe 80 % të shumës që merr një evropian mesatarisht.
Vendet perëndimore vijojnë të jenë imperiale të ekonomisë kontinentale, ku Gjermania me qytetarë 128 % më të pasur se një shtetas evropian brenda BE-së po bëhet lidere dhe bashkëudhëheqëse për vendet e prekura këmbëkryq nga kriza e borxheve.
Ekuilibrat për një ekonomi të përbashkët në të ardhmen janë tepër të vështira për t’u vënë, pasi disnivelet do të jenë prezente gjithmonë.
Për të shuar nivelet kaq të mëdha në mirëqënie, vendet veriore duhet të paguajnë për ato jugore, gjë që sjell zemërim tek veriorët.
Duke analizuar dhe shqyrtuar situatën e mësipërme, del në konkluzionin e thjeshtë se shumica e qytetarëve të veriut të Evropës nuk do ta donin zgjerimin e mëtejshëm të BE-së.  

Logo e 100-vjetorit të Pavarësisë, si ajo e një republike bananesh

Logoja e 100-vjetorit të Pavarësisë mund të jetë kopjuar nga shteti i Trinidad dhe Tobago, një vend që feston 50-vjetorin e pavarësisë nga kolonizimi britanik.
Shteti në fjalë rezulton të jetë as më pak e as më shumë se një shtet i panjohur në arenën ndërkombëtare, duke patur madje edhe nofkën e një republike bananesh.
Ngjashmëria mes logove është mëse evidente me sy të lirë dhe nëse kemi të bëjmë me plagjiaturë apo jo tashmë iu takon specialistëve të thonë fjalën e tyre.
Në rast se provohet një gjë e tillë, mund të konsiderohet pa frikë si një turp kombëtar i shtetit tonë, që edhe për 100-vjetorin e saj nuk është në gjendje të krijojë qoftë edhe një logo.  16.08.12

Liria dhe siguria e gazetarëve është në rrezik

Gazetarët po punojnë në kushte gjithnjë e më të rrezikshme e të pa mbrojtur nga shteti.
Është ky përfundimi i nxjerrë nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, një komitet që mbron të drejtat e profesionit të lirisë së fjalës.
Ky komitet bën me dije se siguria e gazetarit po vihet gjithmonë e më shumë në rrezik.
Sipas kësaj organizate, raportimet mbi çështjet e luftës, aksidenteve apo çështjeve të armatosura po kthehen në problematikë për profesionin e gazetarit.
Një zyrtar i lartë i organizatës në fjalë, duke folur mbi këtë problem për një media prestigjoze globale, shprehet se siguria e reporterit vihet në rrezik në tre plane.
“Së pari, vihet në rrezik siguria fizike, më pas ajo dixhitale dhe së fundmi edhe siguria emocionale e gazetarit.” – shprehet zyrtari Frank Smyth.
Ai thotë se siguria dixhitale ka të bëjë me vetëmbrojtjen e informacionit edhe kur reporteri kërcënohet, ndërsa shprehet se informacioni ka nevojë të ngarkohet pa u vënë në shenjestër personi që raporton.
Raporti flet edhe për mbulimin e traumave emocionale, të cilat kanë të bëjnë me presionet e brendshme dhe ngacmimet e ndryshme. 

Vajza e Millosheviç: Shqipëria e Madhe kërcënon Ballkanin

Vajza e liderit fatkeq të Jugosllavisë, Marije Millosheviç shprehet se në Ballkan po ndodhin ndryshime politike, që nxisin krijimin e një Shqipërie të Madhe.
Në një intervistë të sajën për një revistë beogradase, Marija tregon se babai i saj kërkonte të përmbushte ëndërrën jugosllave, ndërsa rrota e historisë tashmë po ndryshon kah shqiptarët.
“Shqipëria e Madhe po merr jetë tashmë. Serbia e Madhe ka pushuar së ekzistuari.” – kanë qenë fjalët e Marijes gjatë intervistës.
Ajo në këtë intervistë ka përmendur edhe ish-kryeministrin shqiptar, i cili citohet të ketë thënë në Samitin e Kretës për vendet e Ballkanit Perëndimor, se Kosova është çështje që i përket Jugosllavisë.
Marija Millosheviç ka mbrojtur babain e saj, i cili sipas kësaj të fundit ka pranuar çdo traktat paqeje që i është paraqitur dhe ka bërë gjithçka konform rregullave që i jepte statusi për të mbajtur gjallë ëndërrën jugosllave.
Ajo madje, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit shprehet mjaft pesimiste lidhur me të ardhmen e shtetit serb, i cili ‘mund të tkurret dhe më tej, pasi në rresht janë Vojvodina dhe Sanxhaku’. 22.08.12 

Debati: Taksa e sheshtë apo taksa progresive

Në vendin tonë, kohët e fundit po diskutohet së tepërmi për aplikimin e një takse të sheshtë apo progresive.
Taksa e sheshtë, taksë që aplikohet momentalisht mbi qytetarët shqiptarë, detyron qytetarët të paguajnë një shumë bazë të njëllojtë për çdokënd.
Kundërshtarët e aplikimit të një takse të tillë thonë se ajo sheh çdo qytetar si subjekt takse fikse, paçka të të ardhurave të tij, duke lindur kështu pabarazi mes shtresave sociale.
Taksa progresive ka të bëjë në thelb me taksim mbi pasurinë apo pagën që disponon personi i taksuar.
Nga përvoja ndërkombëtare, taksa progresive është konsideruar si më e drejtë dhe i jep përparësi mirëqënies së qytetarëve për barazi sociale, ndërsa taksa e sheshtë krijon ndasi mes shtresave socile në një shoqëri.
Taksën progresive e aplikojnë vendet nordike dhe disa nga shtetet me civilizim të lartë në kuadër botëror, ndërsa pikërisht aplikimi i saj në një moment jo të duhur hoqi nga karrigia e guvernatorit të shtetit të Kalifornisë, Arnold Scharzenegger.
Në vendin tonë, qeveria në pushtet aplikon taksën e sheshtë, ndërsa opozita e kundërshton atë.

Gazetarët investigative, sfidë realitetit

Gazetarë që përgatiten për të shkatërruar korrupsionin, për të gjurmuar paratë e pista dhe për të shuar nivelin e lartë të kriminalitetit.
“Ne kemi informacione lidhur me spatrim parash që kryhen brenda shtetit serb. Këtë gjë do ta bëjmë përmes punës së vështirë në terren, duke u specializuar për hetime biznesesh të organizuara dhe industrisë së jashtëligjshme e të kamur.” – ka folur Stefan Dojçinoviç.
Në këtë mbledhje gazetarësh investigativë, merrnin pjesë rreth 20 reporterë, të cilët i janë nënshtruar një testi të rreptë mbi çështje të mprehta shoqërore.
Fokusi kryesor i kësaj shkolle verore është parandalimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit që lulëzon në demokracitë e brishta të vendeve të rajonit.

Peleponez, shqiptarët flakë e kallashnikovë mbi flamurin grek

Mediat greke kanë publikuar një video, në të cilën shfaqen disa shqiptarë të maskuar duke qëlluar me kallashnikovë mbi flamurin grek.
Video e publikuar nga “Enikos.gr”, tregon shqiptarët e armatosur dhe të veshur me rroba ushtarake.
Ky regjistrim është komentuar si një akt me rrezikshmëri për sigurinë kombëtare.
I pari që ka publikuar dhe ka hedhur videon në portale elektronike ka qenë një gazetar i famshëm grek, Nikos Haxhinikolau.
Në pjesën e regjistruar nga një kamera amatore, dallohen 4 persona të cilët pasi shkrumbojnë flamurin helen, valëvisin flamurin tonë kombëtar.
Personat e ngjarjes raciste mësohet të jenë nga qyteti i Fierit, pasi grupi i tyre quhet “Motoristët fierakë”.  24.08.12

Serbia mos të fusë hundët!

Ekonomistët kosovarë janë ngritur kundër shtetit serb, përsa i përket ndërhyrjes së shtetit serb në proceset e privatizimit në Kosovë.
“Serbia nuk e gëzon të drejtën e privatizimit të ndërmarrjeve në territorin kosovar, referuar edhe pakos së Ahtisarit. Qeveria kosovare ka të drejtë të emëtojë, të privatizojë dhe të japë me koncension çdo ndërmarrje që operon në territorin e saj.” – është shprehur profesori për ekonomi në Universitetin e Prishtinës, Musa Limani.
Ai foli më tej, duke thënë se as Serbia dhe asnjë shtet tjetër nuk ka të drejtë të kontestojë çështje të brendshme të Kosovës.
Privatizimi i ndërmarrjeve në Kosovë i ka sjell shtetit plot 500 milionë euro fitim në arkën e shtetit.

Vidhet dhe digjet muzeu i Mitrovicës

 Muzeut historik të qytetit verior kosovar, Mitrovicë i është vënë flaka nga disa persona ende të paidentifikuar.Sipas raportimeve që vijnë nga “Kosova Press”, këtë dëm të materialeve jo vetëm fizike, por edhe historike e ka pranuar edhe Besim Hoti, kryepolici i Mitrovicës.
Bëhet e ditur se janë zhdukur eksponantë ekologjikë dhe se zjarri është vënë në mesin e natës.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për zjarrvënien dhe ende nuk dihet vlera reale historike, kulturore e financiare e kësaj ngjarje.
 

Maqedoni, konflikti për luftën kthehet në konflikt politik

Konflikti ndërmjet Ali Ahmetit dhe Nikola Gruevskit lidhur me ligjin për dëmshpërblimet e luftëtarëve përgjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001 është shndërruar në konflikt politik.
Dy liderët e koalicionit qeverisës shqiptaro-maqedonas janë ulur ne tryezë bisedimesh, por pa rënë dakord me njëri-tjetrin.
Konflikti i nisur fillimisht për ligjin që diskriminonte ushtarët e UÇK kundrejt ushtarëve të Forcave të Ushtrisë Maqedonase po kthehet në gangrenë për qeverinë.
Mësohet se një tjetër bisedim do të zhvillohet përgjatë ditëve në vazhdim, gjë që do të vendosë përfundimisht nëse Maqedonia do të shkojë apo jo drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.