Monday, October 15, 2012

Dikush është kundër!


Një shkrimtar erudit italian, revolucionar imperator dhe ideator i fjalës së lirë lehtas me një penë të gjakosur nga kleptokracia, shkruante disa vargje indinjuese për realitetin, teksa shprehej se dikujt i drejtohet gishti si komunist sepse besonte se demokracia e vendit të tij është mëe mirë vetëm se demokracia e Ugandës, sepse besonte se ‘proletarati, borgjezia, lufta e klasave’ – na çatë trapin.

E, në rrjedhë të kësaj ideologjie do më duhej të ngjizesha me realitetin shqiptar, një realitet donkishotesk, i mirëpranuar si zgjidhje politike e parisë, një përrallë e tranzicionit tonë.

Fijet e shkëputura e pa fije kauzale shtet-kombëtare hulumtoj e i gjej në ‘Publikja shqiptare’, syri më has një realizim politik të mundshëm, një realizim politik i ashtëquajtur hotian.

Sipas saj, gabimi më i madh i kombasve është vënia e shenjës së barazisë mes politikës së shtetit dhe pikëpamjeve ideologjike të një burrë-shteti.

Mirëpo, shtetasit e këtij shteti, në zemër të Ballkanit, në udhëkryqin më strategjik të Lindjes dhe Perëndimit e besojnë utopizmin se figura politika dhe diviza politike e ndjekur prej tyre janë ekuivalente.

Të mos e besosh këtë ndërlidhje, do të të duhej të hedhësh poshtë filozofin Hegel, që thosh se racionalja është reale dhe realja është racionale.

Pra, në mënyrë që të vërtetohet politikisht një frazë e tillë duhet mbrojtur filozofikisht, duhet nënshtruar nga operacioni mental filozofik.

Nga krejt çka përcolla, dua të nënkuptoj se e vërteta s’ka këmbë, por një popull me një kulturë dhe civilizim e di, dhe në se mirëpranon nisur nga konteksti i vlerave të saj, i duhet të dijë se gjarpërit këmbët si duken, por ka shumë të tilla.

E vërteta do lakuriqësinë, lakuriqësi që flet ndër sy e oshëtin ndër vesh, pasi nuk mjafton të dish të vërtetën, por mik i saj është ai që e përcjell me ndershmëri dhe e përcjell atë pa kurrfarë droje.

Nuk ka hapësirë për tu trembur nëse je dikush që je kundër, jo kundër për kundërshti inercore, por kundër një rendi të parend që sheh e përjeton çdo ditë.

Kundër një rendi të mbërthyer si mos më keq nga kauza diametralisht të kundërta nga një lider tek tjetri, nga një platform në tjetrën, nga një strategji…në asnjë lloj strategjie që del në përfundimin e njëshit absolut të së drejtës dhe së vërtetës.

Kundër së kundërtës politike, së kundërtës historike, së kundërtës të pranuar pa kundërshti.

Ndoshta ngjaj rebel, s’po më gjen rehati një pjesë e vetvetes….në djall shkoftë!

Unë ndoshta ndërthurr dialektika fjalësh pa strategjisi si mund të dilet nga ky sorqokak, por realisht nuk e disponoj së paku momentalisht diapazonin për të thënë një ide sesi dilet.

(Arsyeja përse momentalisht nuk e di , se përse unë nuk arrij ta kuptoj të pakuptueshmen, kur edhe vetë e pakuptueshmja faktikisht edhe vetë nuk ka kuptim.)

Shqiptarët brenda thellë janë të zgjuar dhe kanë ditur gjithnjë të dënojnë alternativën e gabuar, por këtë zgjuarsi e kanë individuale, pa një kohezion në mendim, nga ku si pasojë lind përçarja nga ideologjia bazë e themelore.

E, si mundet që dikush të mos jetë kundër në një vend ku më tepër sesa një person që vdes të vjen edhe më keq për dikë që lind.

E, si mundet të mos jetë një shtetas i një Republike kundër kur demokracia e vendit të tij – ‘të çan trapin!...  

 

 

 

Thursday, October 4, 2012

Kultura e mbrapshtë e debatit publik


 
 
Politika është një fjalë që rrjedh nga greqishtja e përbëhet nga dy komponentë, ‘polis’ që do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tika’, një insekt me helm vdekjeprurës.

Kjo e dyta është bërë kryefjalë e burimit të një helmi që lëshohet nga gojë të uritura vetëm për pushtet, që përdorin retorikën më të ulët të mundshme intelektuale e lëshojnë silurat më të ashpra në përplasjet kokë më kokë.

Dialektika, elekuenca në të folur, oratoria në vetvete janë një art që e posedojnë persona të një rangu me nivel intelektual më të lartë, së paku teorikisht.

Debatet janë origjina e lindjes së parimeve e vlerave demokratike shoqërore, ata brumosin ide, përcjellin mesazhe, diktojnë realitetin e përçunojnë vlerat negative që enden si yndyrë shoqërore.

Debati publik në emisione televizive brenda vetvetes nuk ka struktura të ngrira ku duhet të përmbahet mendimi intelektual, nuk ka as kufij mendësish, veprimesh apo shoqërimin e të folurit oratoresk me gjestikulacione. Përjashtuar rastet e ndërhyrjes së prezentatorit, ndërhyrje që shpesh bëhen kur prezantuesi cënohet.

Vendi ynë çalon së tepërmi në këtë pikë. Në të rrallë këta njerëz me krevatë bindin publikun, sesa ecet me shprehjen e vjetër ‘kur të mungojnë argumentat, fyej kundërshtarin’.

E keqja më madhore qëndron në faktin se rrallë gjen hapësirë të dëgjosh argumenta të shprehura qartë, përtej një debati kokë më kokë, ku më tepër se ç’flitet urrehet me shpirt fjala e dalë nga kundërshtari debatues.

Një kulturë e tillë është bërë kredo, është bërë gjak e shpirt, fe e dëshirë e gjithkujt që dëshiron të kategorizohet si person që fiton betejat me fjalën, betejat e luftës verbale personale e jo argumentuese, ku para vullnetit për të bindur audiencën përdoret ‘forca’ e volumit të zërit, një kulturë e rrënjosur ndër shoqëri, e cila sheh si fitues personin më krenar, ka si ‘hero’ televiziv atë që denigron tjetrin, duke harruar se nga ana tjetër denigron vetveten, ç’rrënjoset baza e tij për një mirëinformim publik për dobi qytetare.

Në ktë gjurundi,  i humbur del qytetari i thjeshtë, vota e shenjtë e tij, e cila është besuar për shërbim e jo për kërcënime fjalësh, për goditje deri në aspekte personale, madje dhe kur hollësitë private janë jashtë kontekstit të diskutimit.

Sami Frashëri, një kolumnist idesh ndër të tjera, lidhur me strategët, personat që kanë vërtetë shpirt të shfrenuar për të qenë të tillë, thoshte ‘Dijetar është ai që veprat e tij përshtaten me fjalët e tij, e fjalët  përshtaten me opinionin e tij.’

Ky është mësimi didaktik më i qartë mbi një kulturë të kalbur debati publik, të mësuar ta shohim e rishohim.

Është turp për mediat, vegla që rrotullohen sipas interesave politike që kanë krijuar një traditë ‘alla shqiptare’, fyej e bërtit, sepse sipas kësaj logjike, nuk ka rëndësi në ke apo s’ke të drejtë, rëndësi ka në del i ‘fituar’.

Këta ‘fitimtarë’ janë veçse figura që ilustrojnë një traditë të rrënjosur keqas, traditën e pamoraltë të të bërtiturit, të të debatuarit pa hijeshi intelektuale, e cila megjithëse relativisht disponohet, ‘rrjedh’ nga një makinacion i mbrapshtë i ngulur thellë në mendjen e çdo debatuesi.

Friday, September 28, 2012

Ilirida po bëhet realitet?


Shqiptarët e diasporës kërkojnë federalizimin e veçantë të Maqedonisë, duke kërkuar kështu ‘ringjalljen’ e asaj që quhet Iliridë.
Organizata e quajtur ‘Jeta e Re’ me seli qendrore në New York, ka gatitur një rezolutë për shpalljen e një republike brenda konfiguracionit të Republikës së Maqedonisë.
Siç njofton INA, pritet që përmes kësaj rezolute të përpiluar të nënshkruhet zyrtarisht një marrëveshje e re mes shqiptarëve të Maqedonisë dhe sllavëve.
‘Duke parë situatën e rëndomtë, ku në territorin maqedonas ka nga dita në ditë bastisje, arrestime të shqiptarëve, nuk respektohet ligji e ka diskriminime të herëpashershme të etnisë shqiptare.’ – thuhet ndër të tjera në rezolutën e përgatitur që nga New Yorku.
I gjithë diskriminimi që bëhet, duke mos iu lejuar shqiptarëve të drejtat e tyre personale, është një diskriminim i hapur që përbën shkelje të marrëveshjes së Ohrit, e cila tashmë është shuar me kohë, e nuk e respekton askush.
Në fund, në deklaratë shpërthejnë emocionet ultranacionaliste, ku theksohet se Ilirida do të bëhet realitet e shqiptarët do të jenë njerëz që do të përfaqësohen me një flamur, me një shtet e me një komb.

Saturday, September 22, 2012

Më bëni ta dua vendin tim

Ndjej urrejtje. Ndjej vrer, pështjellime, andralla që më veniten e më gulçojnë, më grisin, më poshtërojnë, më djegin e përcëllojnë indin me propagandë, idioma pa zemër, pa ajër për të frymuar. Ndjej urrejtje që zien e bren, lëngon e fishkëllen në labirintet më të humbura të subkoshiencës. Drejtoj vëzhgimin e ngulur drejt një hapësire bosh, ku lundron ajër pa aromë, pa peshë e një boshllëk më gërryen, më përmbledh në gjëndrën e urrejtjes një rënkim të përmallshëm, të vajtueshëm, të përzier me vaj të nxehtë vajtimi. Nuk ke zë për t’u çjerrë aq shumë sa plagë ka kjo e mjeruar Shqipëri, e cila rripet nga veriu në jug, mbushet e kthehet në kazan inertesh, ‘përdhunohet’ rëndë nga fjala e mbi fjalë interesi, nga leva ekpirroskavatorësh që gërryejnë e shkatërrojnë shtretër lumenjsh, përrenj, gur e granite. Po na shohin sytë çudira, të cilat tashmë po kthehen në gjëra të zakonshme. Një elitë zaptuesish që po paralizojnë vendin,ku ngjan se monarkia ka rënë po rrënjët i ka të gjalla, ku gojët e ‘makinerive mostra’ po ia gjakosin e hanë zemrën. Shqipëria, kjo vigane përmbi male, ky vend me mbretër pa kurora, pa grada, pa vlera, porku ekziston ‘mbretëria e të fortëve’, e dredhjes së zinxhirit të zyrtarëve që groposin taksapaguesin e thjeshtë shqiptar. Unë dua të besoj se jemi në demokraci, si një vend ku ligji është detyrë mbi detyra. S’do të arrini të më bëni ta urrej vendin tim, por më bëni ta dua atë, ta nderoj e të më nderojë, ta besoj e të më besojë, se jam bir i saj, se jam kockë e skeletit të pa palcë, të ngrënë nga vampirë gjakpirës. Përse? Përse duhet që unë e çdokush, si një taksapagues i moralshëm, por me dinjitet njerëzor, të paguaj mbi atë që më kthehet kundër, që më drejtohet m’u në zemër, m’u thellë në gjoksin e etur për drejtësi. Ndiej pakënaqësi dhe irritim të pamasë për administrimin dhe mënyrën e organizimit të vendit tim. Dhe më e keqja, nuk shoh dritë në fund të tunelit... Shekulli / 22.09.2012

Sunday, September 16, 2012

Iniciale drejtësie mbi pietestale padrejtësie


E vërteta dhe e drejta janë gjurmë e iniciale të një shteti të konsoliduar, të formësuar brenda strukturës së ligjeve, principeve e normave shoqërore.
Shteti i së drejtës nuk dënon askënd më tepër nga se duhet, nuk i var askujt një gur në qafë për të mbajtur, nuk e vret, nuk e dënon politikisht  e ekonomikisht bashkëqytetarin e vet.
Si thashë,shteti i së drejtës? Teoricienët e kësaj teorie ndoshta e kanë konceptuar se mund të ekzistojë një realitet  i tillë në vendet demokratike, por mesa duket s’e kishin menduar se dhe Shqipëria merr pjesë në to.
Drejtësi? A ia di ndokush vlerën kësaj fjale në vendin tonë? A e di ndokush se ka ekzistuar një filozof                   gjerman me emrin Franc Grapacer që ka shkruar me gjak mbi drejtësinë e munguar në sistemet kapitaliste amatore, në sistemet e ‘së drejtës së padrejtë’, ku ‘kryqi nuk i varet gjeniut, por gjeniu varet në kryq’.
Mendimet politike të Churchill nuk mund të bien kurrsesi poshtë për një sistem si yni, ku çdokush flet e askush nuk vepron, ku kafenetë janë vatra pazarllëku e fudollëku e jo mejdani, sheshi, beteja e lufta për të luftuar deri në masakrim padrejtësinë e ngritur në majat më të larta, në pietestalet e supeve të të uriturve për karrigë, për pushtet e sukses vetjak.
Duke përshtjellë krejt çka thashë më lart, do më ndihmej Platoni helenik që fliste mbi popujt e ngritjen e bazave të qytetërimeve, teksa lëvronte idenë se popujt janë ata që janë sepse qytetarët e tyre janë këta që janë.
Populli shqiptar e ka urryer ndër shekuj e breza kulturën helene, shëmbëlltyrën e kulturës së qytetërimit evropian, që mbarë një Evropë po qëndron në këmbë për ta pasur pranë gjirit, popullin që është inicial i drejtësisë së Sokratit, inicial i miteve të dëshirës për të qenë human, tepër human, mbihuman, demokrat, shumë demokrat.
Populli ynë, përkundër është frenetik demokrat, e pranon pa kushte, incizon zërat e kobshme të padrejtësisë, e përkështu lind kontradikta e tëmosvepruarit, e të mosreflektuarit, e tëmosbërit, e të varurit mbi trekëndëshin aq paqedashës të demokracisë.
Shqiptar, ka ardhur koha të mos duash askënd kur s’të do, të shkelësh me këmbë shpërgat e kërcijtë e një sistemi që të vret ëmbël, të ngresh në kodrat e mendimit tënd pietestalin kryelartë të drejtësisë.
Është rrugë e gjatë, është lodhje, është frymëmarrje, por pas kodrës së mendimit ndryshe ngrihet mali, e Shqipëria është një vend me male por pa ‘male’.
Popujt janë mali më ballëlartë e që i jep grushtin më të fuqishëm fytyrës së falsitetit demokratik, paçavurës ideore, lëmit partiak e strukjes të vërtetësisë, godinës nga ku mund të sendërtohet e mirfillta dhe e mirëdashura demokraci. / ML

Monday, September 3, 2012

Kur fyhet një komb

Filozofët që përbëjnë elitën e mendimit botëror e konceptojnë kombin si një njësi territoriale joreale, imagjinare.
Duke marrë shkas nga ky përkufizim, lindin pyetjet: Ç’është kombi? Si lindi? A është një koncept i matshëm racionalisht në rrahje idesh apo një absurditet mbi të cilin ngrihen bazat e një uniteti njerëzish nën një flamur të trilluar e pa kurrfarë asocimi?
Kur flitet mbi këtë, nuk duhet folur nga maja e Olimpit, as nuk duhet presionuar për të mos jehuar zëri kundërshtues.
Po e shtroj çështjen më rrafshët, duke qenë në trajtim sa më racional, në mënyrë që të përcjellë argument logjik e jo ndjesor.
Duke përshtjellë kokën me fije të shtendosur arsyeje, po iu sjell ndërmend një situatë aspak normale, ku një komb në 5 shtete ngjan si një pemë me degë të thyera.
Incidenti nuk është fizik, as guerril, nuk është ‘luftë’ me armë, as me artileri, por më keq…është luftë sociale, është shkatërrim idealesh, është shkatërrim principesh të optikës së vërtetësisë.
Bëhet fjalë për shpërndarjen e teksteve të historisë ndër radhët e ‘dijetarëve të rinj’, e brezit të ri, e gjeneratës që do të përbëjë të ardhmen e përfaqësimit të një etnie, asaj shqiptare në Maqedoni.
Kombi ynë, porsi çdo gjenezë e çdo kombi tjetër mundet të ketë ‘lindur’ në mes malesh, ashtu siç flasin librat maqedon dhe kjo s’është aspak fyerje, përkundrazi krenari e pamatë për një origjinë ndër kreshta vigane.
Kombi ynë, endacak mund të ketë qenë, i vuajtur deri në palcë nga stërmundimet e plagëve të befasishme të fqinjve, por kurrë askujt nuk mund ti lejohet të zhgarravisë mbi shpatullat e gjëra të një populli paqedashës.
Kombi ynë, shoqëria jonë, bindjet tona, nuk mund dhe nuk duhet të diktohen nga asnjë ideologji areale, promaqedone apo qoftë e një shteti a kombi tjetër.
Tek gjuha e huaj rreh në therrje ndër gjurmë të tuat, cënon mendësinë e së ardhmes së një konfiguracioni ‘imagjinar’ të mbërthyer nën një bërthamë, të bën përshtypje të thellë indinjuese heshtja zyrtare e bërthamës së shtetit që shërben si shtizë e ombrellës mbarëkombëtare.
Diplomaci e mbidiplomatë mbi shtypjen etnocentrike sociale të etnisë së saj në emër të një ruajtje kohezioni relatash me ‘fqinjët lindor’ nuk mund të ketë.

Kombi, që të ketë vlerë emri i tij do fuqi, do guximin e mospërbaltjes së domenit ‘shtet amë’, në kushtet kur politika ‘fqinjësore’ zhvillohet në mënyrë represive dhe etnocentrike./ MediaLajm.Al

Friday, August 31, 2012

Euro, një fund me tmerr apo një tmerr pa fund

Ekonomistët më të mirë të Evropës janë mbledhur së bashku për ti bërë një ekspertizë të veçantë gjendjes akute të euros.
Këta ekonomistë përfaqësojnë rryma të ndryshme të mendimit ekonomik dhe kauza e mbledhjes së tyre është rënia në konsensus për ardhmërinë e monedhës së përbashkët evropiane.
Në një shkrim të sajin, websiti “DW” flet mbi masat që mund të ndërmerren nën koncepte novatore ekonomike.
Sipas ekonomistëve në fjalë, reformat nuk duhet të jenë radikale, por strukturore.
Ata tregojnë për median gjermane se për tu zbërthyer nga klisheja ‘një fund me tmerr apo një tmerr pa fund’, duhen ndërmarrë paketa të menjëhershme nga çdo anëtar i Bashkimit Evropian.
Ekonomistët që konsiderohen plejada e kontinentit të vjetër, nuk janë dakord me faktin që vendet e jugut të jenë më të ‘rehatshme’, duke qenë se kriza nuk i ka prekur aq shumë.
Fjalia përfundimtare e tyre që mbyll kapitullin e teorive për një vënie në jetë të planeve është ‘të shpëtohet euro, por në çastin dhe mënyrën e duhur’.