Thursday, October 4, 2012

Kultura e mbrapshtë e debatit publik


 
 
Politika është një fjalë që rrjedh nga greqishtja e përbëhet nga dy komponentë, ‘polis’ që do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tika’, një insekt me helm vdekjeprurës.

Kjo e dyta është bërë kryefjalë e burimit të një helmi që lëshohet nga gojë të uritura vetëm për pushtet, që përdorin retorikën më të ulët të mundshme intelektuale e lëshojnë silurat më të ashpra në përplasjet kokë më kokë.

Dialektika, elekuenca në të folur, oratoria në vetvete janë një art që e posedojnë persona të një rangu me nivel intelektual më të lartë, së paku teorikisht.

Debatet janë origjina e lindjes së parimeve e vlerave demokratike shoqërore, ata brumosin ide, përcjellin mesazhe, diktojnë realitetin e përçunojnë vlerat negative që enden si yndyrë shoqërore.

Debati publik në emisione televizive brenda vetvetes nuk ka struktura të ngrira ku duhet të përmbahet mendimi intelektual, nuk ka as kufij mendësish, veprimesh apo shoqërimin e të folurit oratoresk me gjestikulacione. Përjashtuar rastet e ndërhyrjes së prezentatorit, ndërhyrje që shpesh bëhen kur prezantuesi cënohet.

Vendi ynë çalon së tepërmi në këtë pikë. Në të rrallë këta njerëz me krevatë bindin publikun, sesa ecet me shprehjen e vjetër ‘kur të mungojnë argumentat, fyej kundërshtarin’.

E keqja më madhore qëndron në faktin se rrallë gjen hapësirë të dëgjosh argumenta të shprehura qartë, përtej një debati kokë më kokë, ku më tepër se ç’flitet urrehet me shpirt fjala e dalë nga kundërshtari debatues.

Një kulturë e tillë është bërë kredo, është bërë gjak e shpirt, fe e dëshirë e gjithkujt që dëshiron të kategorizohet si person që fiton betejat me fjalën, betejat e luftës verbale personale e jo argumentuese, ku para vullnetit për të bindur audiencën përdoret ‘forca’ e volumit të zërit, një kulturë e rrënjosur ndër shoqëri, e cila sheh si fitues personin më krenar, ka si ‘hero’ televiziv atë që denigron tjetrin, duke harruar se nga ana tjetër denigron vetveten, ç’rrënjoset baza e tij për një mirëinformim publik për dobi qytetare.

Në ktë gjurundi,  i humbur del qytetari i thjeshtë, vota e shenjtë e tij, e cila është besuar për shërbim e jo për kërcënime fjalësh, për goditje deri në aspekte personale, madje dhe kur hollësitë private janë jashtë kontekstit të diskutimit.

Sami Frashëri, një kolumnist idesh ndër të tjera, lidhur me strategët, personat që kanë vërtetë shpirt të shfrenuar për të qenë të tillë, thoshte ‘Dijetar është ai që veprat e tij përshtaten me fjalët e tij, e fjalët  përshtaten me opinionin e tij.’

Ky është mësimi didaktik më i qartë mbi një kulturë të kalbur debati publik, të mësuar ta shohim e rishohim.

Është turp për mediat, vegla që rrotullohen sipas interesave politike që kanë krijuar një traditë ‘alla shqiptare’, fyej e bërtit, sepse sipas kësaj logjike, nuk ka rëndësi në ke apo s’ke të drejtë, rëndësi ka në del i ‘fituar’.

Këta ‘fitimtarë’ janë veçse figura që ilustrojnë një traditë të rrënjosur keqas, traditën e pamoraltë të të bërtiturit, të të debatuarit pa hijeshi intelektuale, e cila megjithëse relativisht disponohet, ‘rrjedh’ nga një makinacion i mbrapshtë i ngulur thellë në mendjen e çdo debatuesi.

No comments:

Post a Comment