Mendime te thyera kostelacioniste nen hijen e kapitalizmit. Analiza, refleksione, opinione.
Saturday, September 22, 2012
Më bëni ta dua vendin tim
Ndjej urrejtje. Ndjej vrer, pështjellime, andralla që më veniten e më gulçojnë, më grisin, më poshtërojnë, më djegin e përcëllojnë indin me propagandë, idioma pa zemër, pa ajër për të frymuar. Ndjej urrejtje që zien e bren, lëngon e fishkëllen në labirintet më të humbura të subkoshiencës. Drejtoj vëzhgimin e ngulur drejt një hapësire bosh, ku lundron ajër pa aromë, pa peshë e një boshllëk më gërryen, më përmbledh në gjëndrën e urrejtjes një rënkim të përmallshëm, të vajtueshëm, të përzier me vaj të nxehtë vajtimi. Nuk ke zë për t’u çjerrë aq shumë sa plagë ka kjo e mjeruar Shqipëri, e cila rripet nga veriu në jug, mbushet e kthehet në kazan inertesh, ‘përdhunohet’ rëndë nga fjala e mbi fjalë interesi, nga leva ekpirroskavatorësh që gërryejnë e shkatërrojnë shtretër lumenjsh, përrenj, gur e granite. Po na shohin sytë çudira, të cilat tashmë po kthehen në gjëra të zakonshme. Një elitë zaptuesish që po paralizojnë vendin,ku ngjan se monarkia ka rënë po rrënjët i ka të gjalla, ku gojët e ‘makinerive mostra’ po ia gjakosin e hanë zemrën. Shqipëria, kjo vigane përmbi male, ky vend me mbretër pa kurora, pa grada, pa vlera, porku ekziston ‘mbretëria e të fortëve’, e dredhjes së zinxhirit të zyrtarëve që groposin taksapaguesin e thjeshtë shqiptar. Unë dua të besoj se jemi në demokraci, si një vend ku ligji është detyrë mbi detyra. S’do të arrini të më bëni ta urrej vendin tim, por më bëni ta dua atë, ta nderoj e të më nderojë, ta besoj e të më besojë, se jam bir i saj, se jam kockë e skeletit të pa palcë, të ngrënë nga vampirë gjakpirës. Përse? Përse duhet që unë e çdokush, si një taksapagues i moralshëm, por me dinjitet njerëzor, të paguaj mbi atë që më kthehet kundër, që më drejtohet m’u në zemër, m’u thellë në gjoksin e etur për drejtësi. Ndiej pakënaqësi dhe irritim të pamasë për administrimin dhe mënyrën e organizimit të vendit tim. Dhe më e keqja, nuk shoh dritë në fund të tunelit... Shekulli / 22.09.2012
Labels:
Opinion
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment