E vërteta dhe e drejta janë gjurmë
e iniciale të një shteti të konsoliduar, të formësuar brenda strukturës së ligjeve,
principeve e normave shoqërore.
Shteti i së drejtës nuk dënon askënd më tepër nga se duhet,
nuk i var askujt një gur në qafë për të mbajtur, nuk e vret, nuk e dënon politikisht
e ekonomikisht bashkëqytetarin e vet.
Si thashë,shteti i së drejtës? Teoricienët e kësaj teorie ndoshta
e kanë konceptuar se mund të ekzistojë një realitet i tillë në vendet demokratike, por mesa duket s’e
kishin menduar se dhe Shqipëria merr pjesë në to.
Drejtësi? A ia di ndokush vlerën kësaj fjale në vendin tonë?
A e di ndokush se ka ekzistuar një filozof gjerman me emrin Franc
Grapacer që ka shkruar me gjak mbi drejtësinë e munguar në sistemet kapitaliste
amatore, në sistemet e ‘së drejtës së padrejtë’, ku ‘kryqi nuk i varet gjeniut,
por gjeniu varet në kryq’.
Mendimet politike të Churchill nuk mund të bien kurrsesi poshtë
për një sistem si yni, ku çdokush flet e askush nuk vepron, ku kafenetë janë vatra
pazarllëku e fudollëku e jo mejdani, sheshi, beteja e lufta për të luftuar deri
në masakrim padrejtësinë e ngritur në majat më të larta, në pietestalet e
supeve të të uriturve për karrigë, për pushtet e sukses vetjak.
Duke përshtjellë krejt çka thashë më lart, do më ndihmej Platoni
helenik që fliste mbi popujt e ngritjen e bazave të qytetërimeve, teksa lëvronte
idenë se popujt janë ata që janë sepse qytetarët e tyre janë këta që janë.
Populli shqiptar e ka urryer ndër shekuj e breza kulturën helene,
shëmbëlltyrën e kulturës së qytetërimit evropian, që mbarë një Evropë po qëndron
në këmbë për ta pasur pranë gjirit, popullin që është inicial i drejtësisë së Sokratit,
inicial i miteve të dëshirës për të qenë human, tepër human, mbihuman,
demokrat, shumë demokrat.
Populli ynë, përkundër është frenetik demokrat, e pranon pa
kushte, incizon zërat e kobshme të padrejtësisë, e përkështu lind kontradikta e
tëmosvepruarit, e të mosreflektuarit, e tëmosbërit, e të varurit mbi trekëndëshin
aq paqedashës të demokracisë.
Shqiptar, ka ardhur koha të mos duash askënd kur s’të do, të
shkelësh me këmbë shpërgat e kërcijtë e një sistemi që të vret ëmbël, të ngresh
në kodrat e mendimit tënd pietestalin kryelartë të drejtësisë.
Është rrugë e gjatë, është lodhje, është frymëmarrje, por
pas kodrës së mendimit ndryshe ngrihet mali, e Shqipëria është një vend me male
por pa ‘male’.
Popujt janë mali më ballëlartë e që i jep grushtin më të fuqishëm
fytyrës së falsitetit demokratik, paçavurës ideore, lëmit partiak e strukjes të
vërtetësisë, godinës nga ku mund të sendërtohet e mirfillta dhe e mirëdashura demokraci. / ML